Konferencë përmbajtësore mbi edukimin ekonomik
Konferenca mbi edukimin ekonomik, shënon një hap përpara në drejtim të afirmimit të koncepteve të reja, që tashmë duket se mbeten të domosdoshme për gjithë qytetarët. Njohja me koncepte dhe praktika të reja, siç është në këtë rast edukimi ekonomik, i atribuohet padiskutim Institutit Alternativa Liberale, që me kreativitet, profesionalizëm dhe përkushtim arriti të shpërfaq në Tetovë një ide, koncept dhe praktikë të munguar përgjithësisht në Maqedoninë e Veriut. Afirmimi i këtyre koncepteve padyshim do të thotë interaksion, përgjegjësi institucionale, vizion arsimor funksional, kohezion social dhe mbi të gjitha qytetari.
Sfidat e modernitetit mbeten të përhershme dhe në të shumtën e rasteve ato vijnë bashkë me aktorë që janë në frekuenca të ideve te reja, të trendëve globale, por edhe të hapësirave të papushtuara inovative. Shpërfaqja e përvojave globale, e ideve novatore mbetet thelbësore për shoqëritë që po provojnë të shkëputën nga tradicionalja, që provojnë të njohin transformimin e vështirë në koncepte shoqërore, sociale dhe kulturore që shkojnë përtej apatisë dhe qaramanisë sonë të zakonshme.
Gjithnjë mbetet një lajm i mirë kur në një hapësirë apatike siç është kjo e jona organizohen ngjarje, të cilat afirmojnë trende të reja konceptesh moderne shumë pak të pranishme në Maqedoninë e veriut. Pikërisht një ngjarje të këtillë përfaqëson konferenca “”Edukimi Ekonomik: Shkathtësia e nevojshme e shekullit 21″ e mbajtur të shtunën në Tetovë, organizuar nga Instituti Alternative Liberale. Një konferencë që me përmbajtjen e saj, me kompetencën dhe me pjesëmarrjen arriti të përçojë në opinion idenë e edukimit ekonomik si një dimension shumë i rëndësishëm i jetës bashkëkohore, por edhe si një paradigmë mendimi dhe zbatimi që krijon predispozitë për zhvillim ekonomik dhe qëndrueshmëri sociale dhe shoqërore.
Kjo konferencë kishte tubuar në një vend ekspertë, profesorë universitarë, përfaqësues të institucioneve ekonomike dhe financiare, përfaqësues qeveritarë, profesorë universitarë, përfaqësues nga bota e biznesit dhe nga shoqëria civile. Nëpërmjet prezantimeve të mirëmenduara, panelistët në këtë konferencë arritën që konceptualisht ta trajtojnë idenë e edukimit ekonomik, duke shpërfaqur suazën e gjithmbarshme të trendëve globale digjitale si dhe duke prezantuar para pjesëmarrësve analiza të thelluara, shembu konkret, të dhëna dhe vizione se ka duhet lëvizur në të ardhmen si shtet.
Pikërisht gjithë këto përmbajtje të panelistëve me kompetencë kahëzuan idenë e edukimit mediatik, që mbetet një dimension i munguar në Maqedoninë e Veriut. Ideja e edukimit ekonomik u trajtua në një suazë të gjerë konceptuale, në sinkron me gjithë atë që nënkupton zhvillim marramendës i botës teknologjike. Gjithashtu nëpërmjet analizave të thelluara panelistët shpërfaqen disonancat e shumta të sistemit arsimor në raport me tregun e punës, por edhe mungesën e theksuar të edukimit ekonomik në Maqedoninë e Veriut.
Kjo konferencë me eksplorimet akademike, me diagnozat mbi realitetet institucionale, ekonomike dhe shoqërore dhe me analizat e thella të kurrikulave universitare, të cilat tashmë duhet t’i përshtaten tregut të punës, me elegancë shkencore arriti që të shpërfaq idenë e edukimit ekonomik si një domosdoshmëri për të krijuar interaksionin e nevojshëm të qytetarëve me zhvillimet ekonomike, por edhe për të menaxhuar me buxhetet familjare, me investimet dhe me nismat e biznesit.
Konferenca mbi edukimin ekonomik shënon një hap përpara në drejtim të afirmimit të koncepteve të reja ekonomike, që tashmë duket se mbeten të domosdoshme për gjithë qytetarët. Njohja me konceptet e reja, siç është në këtë rast edukimi ekonomik, i atribuohet padiskutim Institutit Alternativa Liberale, i cili me kreativitet, profesionalizëm dhe përkushtim arriti që të shpërfaq në Tetovë një ide, koncept dhe praktikë të munguar përgjithësisht në Maqedoninë e Veriut. Afirmimi i këtyre koncepteve padyshim do të thotë interaksion, vizion arsimor funksional, kohezion shoqëror e social dhe mbi të gjitha qytetari.
Tekstin origjinal mund ta gjeni në linkun në vijim: https://kdp.mk/2023/02/20/nje-konference-permbajtesore-mbi-edukimin-ekonomik/?fbclid=IwAR3ZPRqZE5m8LIOaj5Dk8BkEJ5bhZXXGdqG1fPGCtNGBFqq3Eef9Rfv6Itk