Edukimi ekonomik - Shkathtësia e nevojshme
Për të ecur një shoqëri përpara dhe të jetë në hap me kohën, sot është i domosdoshëm edukimi ekonomik i gjeneratave duke filluar nga moshat më të rejat, deri te ato më të vjetrat. Vendi në këtë drejtim çalon, por kjo nuk nënkupton se nuk ka zgjidhje. Institucionet shtetërore, OJQ-të, sektori publik dhe ai privat si dhe aktorë të tjerë duhet të bashkërendojnë aktivitetet e tyre që Maqedonia e Veriut të bëjë progres në këtë drejtim. Kështu konstatojnë ekspertët e ekonomisë në vend, shkruan Portalb.mk.
Për atë se ku qëndron Maqedonia e Veriut me edukimin ekonomik, Orhan Ceka, drejtor i Institutit Alternativa Liberale (LAI) thekson se hapi i parë në këtë drejtim është të fillohet të diskutohet për këtë, jo vetëm në konceptin e edukimit ekonomik në aspektin profesional por për të gjithë masën. Pasi siç thotë ai, edukimi ekonomik na mundëson të marrim vendime më të drejta.
“Të rëndësishme janë tre target grupe, institucionet publike, akademia dhe bizneset dhe inkubatorët e ndryshëm to cilët luajnë rol të rëndësishëm në edukimin ekonomik”, thotë mes tjerash Ceka.
Për edukimin ekonomik, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se është shumë me rëndësi duke filluar që nga amvisëritë, familjet dhe në nivele më të larta të kenë informata sa më shumë në ballafaqimin me kriza, që të ruhet standardi jetësor dhe ajo të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Nisma të tilla çdo herë do të përkrahen nga Ministria e Ekonomisë, nga Qeveria dhe pikërisht ky bashkëpunim duhet të thellohet edhe me bashkëpunimet tjera të cilat do të ndikojnë në edukimin e masës në përgjithësi dhe jo vetëm të atyre që drejtpërdrejtë merren me çështjet ekonomike”, thekson Bekteshi.
Për sa i përket edukimit ekonomik dhe sa kjo është e rëndësishme, Abdylmenaf Bexheti, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) dhe ekspert i çështjeve ekonomike nënvizon se po vonohemi në këtë aspekt, por siç thotë ai më mirë pak vonë se asnjëherë.
“Me ndryshimet e ekonomisë, me ndryshimet e strukturës ekonomike ndryshon edhe nevoja për dije të reja, dije ndryshe qofshin ato të natyrës formale apo joformale”, tha Bexheti i cili theksoi se në këtë drejtim rol të rëndësishëm luajnë politikat arsimore dhe se duhet të punohet në këtë drejtim.
Diagnoza e edukimit ekonomik në Maqedoninë e Veriut, ku jemi?
Arsimi është baza themelore e ekonomisë së dijes, kështu thotë Festim Halili, dejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.
“Sot kemi sfidën e krijimit të kuadrove cilësore… Sigurisht që përballemi me revolucionet e fundit shkencore dhe teknologjike, për ne është sfidë që të kemi kapital njerëzor që do të jetë i përgatitur për tu përballur me këto sfida”, tha mes tjerash Halili, i cili nënvizoi aktivitetet e Fondit në këtë drejtim ku përmes instrumenteve të ndryshme u mundësojnë të rinjve që të përfitojnë nga ndihmat e tyre.
Gani Ramadani, këshilltar në Bankën Popullore të Maqedonisë së Veriut thekson se në vitin 2021 është miratuar strategjia e parë nacionale për edukim financiar që e vendon vendin në të parët në rajon që ka një strategji të tillë.
“Si Bankë Qendrore mundohemi të u përshtatemi ndryshimeve duke investuar në edukimin financiar të popullsisë dhe duke e ndryshuar komunikimin me publikun, në aspekt duke e thjeshtuar atë duke e bërë më direkt dhe më të thjeshtë, më të shpejtë që vendimet monetare që merren të jenë më të kuptueshme për popullatën. Kemi tendencë rritëse të inkluzivitetit financiar në vitin 2021”, tha Ramadani i cili mes tjerash shtoi se nivel më i ulët i edukimit financiar vërehet më tepër te të rinjtë dhe te moshat më të vjetra në krahasim me moshat e mesme.
Arben Halili, zv.kryetar i Këshillit Mbikqyrës të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, thotë se çështja e edukimit ekonomik duhet të fillojë nga familja.
“Vetë fjala ekonomi do të thotë asgjë tjetër veç se menaxhim ndaj shtëpisë, të dimë të menaxhojmë me atë që kemi. Me çka ballafaqohemi ne në vendin ku jetojmë? Me keq menaxhimin e shtëpisë tonë të përbashkët. Kush është? Është shteti”, theksoi Halili i cili mes tjerash thotë se në këtë drejtim sfida kryesore e bizneseve në RMV është mungesa e resurseve njerëzore dhe të kualifikuar. Ai nënvizon se duhet të gërshetohet teoria dhe praktika, pasi pa praktikë sipas tij teoria është e kotë.
Stimulim i zhvillimit të edukimit ekonomik dhe financiar në shkollat e mesme dhe arsimin e lartë
Fuqia punëtore me edukim të mirë ekonomik krijon përparësi konkurruese. Kështu thotë Izet Zeqiri, rektor i Universitetit “Nënë Tereza” dhe ekspert i çështjeve ekonomike. Ai thekson se përgatitja e kuadrit është faktor relevant për produktivitet të punës.
“Duke shikuar evolucionin e produktivitet të fuqisë punëtore për person dhe GDP real për capita mund të vërehet që rritja e përgjithshme është ndërprerë nga kriza financiare e vitit 2009 dhe nga pandemia Covid-19 e 2020. Gjithashtu mund të shihet se rritja e produktivitetit shkon bashkë me rritjen e GDP-së, mirëpo vërehet një trend pothuajse linear i rritjes së produktivitetit ndër vite. Për RMV-në nga periudha 2005-2021 nuk është shënuar përparim në aspekt të produktivitetit duke u krahasuar me vendet e BE-së”, theksoi Zeqiri mes tjerash duke shtuar se shkathtësitë dhe aftësitë për të kryer detyra janë elementi kryesor, aftësitë e buta.
Sipas Merita Zulfiu Alilit, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Bashkëkohore në UEJL, sistemi ekonomik është i ndërlidhur me sistemin e edukimit, ku njohuria është baza se si do të funksionojë sistemi i edukimit.
“Ne i kemi strategjitë e shumta, edhe strategjia për arsim 2021/23 edhe kjo për edukimin financiar që është aktuale, po të analizojmë sa aktivitetet janë zhvilluar, vetë përpiluesit e strategjisë raportojnë që shumica e aktiviteteve duke mos ndërhyrë në detaje janë realizuar dhe shumica tjera nuk janë realizuar. Gjithmonë kohën e fundit merret për arsye për mosrealizimin e këtyre aktiviteteve pandemia. Mirë që ndodhi që kështu mbrohen për mosrealizimin e aktiviteteve. Në anën tjetër problem është edhe ndërrimi i shpeshtë i atyre që udhëheqin, secili ministër i ri vjen me një ide tjetër, nuk vazhdohet puna aty ku e ka lënë ai paraprak, ndryshohen prioritetet që kanë secili në bazë të agjendave të tyre politike dhe qytetarët e paguajnë çmimin e kësaj”, tha Zulfiu Alili e cila nënvizoi se nuk mungojnë strategjitë, kurrikulat, të gjitha janë në letër por mënyra e zbatimit dallon.
Liza Alili Sulejmani, dekanë e Fakultetit të Ekonomisë në IBU thekson se esenciale është që për edukimin ekonomik të fillohet që nga arsimimi më i hershëm.
“Besoj që rëndësia e lartë që ka edukimi ekonomik të trajtojë te të rinjtë çështjet ekonomike dhe financiare dhe konceptet themelore me të cilat ato pastaj do të mund të ballafaqohen në jetën e tyre personale, dhe të jenë të aftë të bëjnë vendimet afat-shkurtra financiare por edhe planet e tyre financuare afat-gjate është e vetmja mënyrë që të mund të kenë edukim të mirë”, tha Alili Sulejmani e cila mes tjerash theksoi se rreth 80% e studentëve të cilët regjistrohen në vit të parë në Fakultetin Ekonomik nuk kanë aspak njohuri bazike ekonomike. Për këtë sipas saj ky edukim duhet të fillohet nga arsimimi më herët, i cili është një proces i vazhdueshëm.
Nga ana tjetër, Bardhyl Dauti, prodekan i Fakultetit Ekonomik në UT thekson se ka një hendek zhvillimi në mes dijes së ekuilibruar, mes dijes që promovohet nga fusha e ekonomisë dhe nevojave të tregut.
“Duhet ta promovojmë këtë instrumentalizim të kurrikulave të ekonomisë me elemente pragmatike. Ky është problemi më i saktë dhe ky kontribut të mund të ndihmojë jashtëzakonisht shumë edhe nevojave tët tregut të punës edhe plotësimit të nevojave personale të profileve që kanë dije ekonomike”, tha mes tjerash Dauti i cili theksoi se duhet të harmonizohen syllabuset në kuptim horizontal në mes universiteteve publike në mënyrë që të jemi më kontribuues për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme.
Edukimi ekonomik dhe financiar për nxitje të sipërmarrsisë dhe inovacionit
Shumë ndërmarrje nuk dinë anën formale me shifrat për dorëzim te Regjistri Qendror për raportin vjetor, kështu thotë Nebi Jusufi, drejtor i ESA.
“Ana formale me anën reale nuk korrespondojnë, shpesh ndodh që ndërmarrja duket e madhe me objekte, me makina, me të gjitha, por në anën formale nuk ka asgjë. ESA atë ka domethënë në mënyrë praktike nëse duhet të bësh diçka, si duhet ta bësh”, tha mes tjerash Jusufi i cili theksoi se ka strategji rajonale për inovacion, jo vetëm për rrethin e Pollogut por edhe rajoneve tjera. Ndërkaq nënvizoi se njerëzit më shpesh kërkojnë masat e vetëpunësimit.
Avni Arifi, menaxher i Qendrës për Biznes dhe Inovacion në UEJL tha se me programet që realizojnë si qendër, kanë theks dhe pika të edukimit ekonomik.
“Të gjithë duhet t’i dimë së paku bazat e ekonomisë në kuptimin se ne jemi qytetarë të një vendi, por edhe taksapagues. Në këtë drejtim e njëjta vlen edhe për bizneset…Sipërmarrësia kërkon të ketë një dozë të edukimit ekonomik, nëse shikojmë statistikat botërore, do të shikojmë se vendet të cilat kanë zhvillim më të madh ekonomik dhe kanë start-upe dhe kompani të suksesshme, kanë nivel më të lartë të edukimit ekonomik. Për të qenë inovativ duhet të dish se çka kërkon tregu”, tha Arifi.
Këshilltari rajonal në GIZ, Evzi Hani, thekson se ata punojnë në ngritjen e kapaciteteve, bashkëpunëtorëve dhe zhvillimit. Ai thotë se arsimimi është element shumë i rëndësishëm pasi aty është vendi ku vjen inovacioni. Gjithashtu, sipas tij rol luan edhe politika.
“Ne shohim ekosistemin e ndërmarrsisë si tërësi, mundohemi që të rritet dinamika e bashkëpunimit… Duhet të punojmë në ngritjen e dinamikave, bashkëpunimit ndërinstitucional për të ardhur te kjo pjesa e inovacionit”, tha Hani.
Besir Dernjani, drejtor i Fondacionit Albiz nënvizoi se në dekadën e dytë të tyre, kanë hapur një epokë të re drejt projekteve zhvillimore me qëllim që të nxisin inovacionin dhe siërmarrësinë te të rinjtë, ku kanë filluar nga edukimi joformal në rrjetin e tyre të bursistëve që kanë.
“Ne kemi kuptuar gjatë rrugës tonë që përveç edukimit joformal ose edukimit ekonomik joformal kemi nevojë për bashkëpunim institucional me institucionet arsimore, në të njëjtën kohë mos të anashkalojmë edhe sektorin e biznesit, i cili jo vetëm për pjesën financiare, ne i shohim si mentor te sipërmarrësit e ri të shpërndajnë përvojat e tyre jetësore dhe profesionale që rrugëtimi i tyre të jetë më i lehtë, të jenë të gatshëm të ballafaqohen me sfidat e tregut. Jemi të fokusuar në konkretizimin e ideve.. Të rinjtë kanë nevojë për përkrahje konkrete”, tha mes tjerash Dernjani.
Të gjitha këto komente u bënë në konferencën “EconLit 2023” të mbajtur sot në Tetovë nga Instituti Alternativa Liberale (LAI) në kuadër të projektit Edukimi Ekonomik, ndërkaq në fund kryetarja e Bordit të LAI, Enisa Musai theksoi diskutimet dhe prezantimet e mësipërme dhanë një pasqyrë të edukimit ekonomik në shoqërinë tonë.
Të gjithë artikullin mund ta gjeni në linkun në vijim: https://arkiv.portalb.mk/835394-edukimi-ekonomik-shkathtesia-e-nevojshme-e-kohes-ku-eshte-rmv-ja/?fbclid=IwAR2yzjWRwj-8LAUuaGkWqISGeZTIGVC3Lk9-pjK_BawszvXl-t0mAA3s93Y